Thursday, June 1

Atika Ameti, 13 vjeçarja që ishte pjesë e “Skopje Fashion Weekend” me kreacionin e saj të parë

Dashuria dhe pasioni i saj për modën u kthye në një kreacion nga ajo, që u zgjodh të prezentohet në sfilatën e grupit të Izet Currit në Skopje Fashion Weekend. Ajo që veçohet më shumë është mosha e saj shumë e re për të arritur të krijoj një model të sajin në mesin e një koleksioni stilesh.

Ajo është 13 vjeçarja, Atika Ameti e cila përveç shkollimit të saj, vazhdon të ndjek traditën familjare të kësaj sfere. E intervistuar nga Telegrafi Maqedoni, Atika tregoi shumë rreth vetes dhe planeve të saj për të ardhmen në sferën e modës.

Mes tjerash ajo foli edhe për mesazhet dhe përkrahjen nga njerëzit për kreacionin e saj të parë, si dhe për vështirësitë në realizimin e gjithë kësaj. Për më shumë ju ftojmë të lexoni intervistën në vazhdim.

Reklama

 

 

Kush është Atika për ata që se njohin?

Unë jam Atika Ameti jam 13 vjeçe, nxënëse e klasës së tetë në shkollën fillore Jahja Kemal, ndërsa ka një vit që i ndjek mësimet edhe në Institutin e modës Izet Curi.

Në një moshë kaq të re, ke realizuar sfilatën tënde të parë të modës, nga lindi kjo ide dhe si e arrite këtë?

Në fakt kjo nuk ishte sfilata ime e parë, por ishte krijimi im i parë si studente në Institutin e modës Izet Curi, unë kam krijuar një fustan i cili është përzgjedhur që të prezantohet në grupin e gjithë studentëve të Izet Currit në sfilatën e tyre në Skopje Fashion weekend dhe unë isha studentja më e re në moshë. Por sigurisht do punoj shumë deri në krijim e sfilatës time personale, ndërsa nuk e kam pas shumë të vështirë pasi unë kam ndjekur traditën e familjes time, mësimet e para i kam marr nga gjyshja dhe nëna ime.

Reklama

Si u prit ky kreacion nga njerëzit, cilat ishin mesazhet e tyre?

Kam mar shumë mesazhe pozitive nga njerëzit, të gjithë më përgëzonin për krijimin tim dhe më kanë dhënë shumë përkrahje për të vazhduar më tej.

A ishte e vështirë për ty, të krijosh një model tëndin në mesin e një koleksioni fustanesh?

Sigurisht që nuk është e lehtë, por unë e dua shumë këtë punë, kam vazhdimisht ndihmën dhe përkrahjen e familjes, çdo herë konsultohem me nënën dhe gjyshen time, por tani që i ndjek mësimet edhe nga njerëz profesionist kam mësuar shumë dhe do punoj edhe në krijimin e shumë modeleve tjera.

Cilat janë planet e Atikës në të ardhmen?

Sigurisht prioritet janë mësimet në shkollë, por paralelisht do ndjek edhe mësimet tek instituti i modës dhe do punoj shumë pas mësimeve që të krijoj shumë modele të reja dhe një ditë të realizoj sfilatën time personale.