Ambasadorja Kim: Shqipëria në rrugën e duhur që të udhëtojë në SHBA pa viza
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka deklaruar mbrëmjen e sotme se Shqipëria është në rrugën e duhur që të hyjë në SHBA pa viza. Ajo theksoi se një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.
Kim: Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por mund të them këtë. Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Më tej, ajo ka theksuar se raportet ekonomike Shqipëri-SHBA janë përmirësuar.
E ftuar në Report tv, ambasadorja ka sjellë disa raste dhe ka deklaruar se investimet direkte nga SHBA janë dyfishuar krahasuar me vitin 2019.