Lajm

A e dini se shqiptarët më 1831 e çliruan Jerusalemin dhe sollën barazi për të gjithë, tash Palestina nuk e pranon Kosovën

Por… mos u nxitoni! Prisni aq sa të keni kohë të shfletoni historinë mijëravjeçare të qytetit të Davidit dhe Solomonit, të Jezu Krishtit dhe profetit Muhamed dhe do të shihni se Qyteti i Shenjtë ka qenë zotërim i shqiptarëve nga viti 1831 deri në vitin 1840.

Sulltani i perandorisë që shtrihej në tre kontinente, asaj Otomane, Mahmudi II, ndonëse me masakrën e 10 qershorit të vitit 1826 mendoi se do t’i jepte fund pushtetit të jeniçerëve, ku shqiptarët kishin pozitat sunduese, nuk mund ta parashikonte dot se një ditë, tetë vjet më pas, shqiptarët do të ishin përsëri kërcënimi më serioz i fronit dhe po të mos i kish ndalur Evropa, ushtria e Mehmet Aliut, këtij ushtari shqiptar, do të ishte futur triumfuese në Stamboll.

Kush ka lexuar libra biografiko-historikë mbi Napoleon Bonapartin, e ndesh atë pothuaj në shumicën e tyre, të shpjeguar në pak faqe dhe lidhet me ngjarjen në kështjellën e Xhafas (Jaffa), shumë afër Jerusalemit. Ishte periudha e fushatës në Egjipt, kohë kur, ngadhënjyese, ushtria prej 35 mijë luftëtarësh e Napoleonit, doli nga Kajro e Aleksandria dhe mori rrugën për pushtimin e “Tokave të shenjta”. Kapërceu lehtësisht e theu rezistencat e dobëta që hasi rrugës në Gaza, derisa ngeci para murit të një kështjelle, Xhafas, që as thyhej dhe as dorëzohej. Ishin nizamë shqiptarë ata që e mbronin. U premtoi jetën, por ata pas katër ditë luftimesh të përgjakshme në rrethim, kërkuan të merrnin dhe armët. Kështu u ra dakord, por, siç thonë historianët, pas një nate të tërë pa vënë gjumë në sy, Napoleon Bonaparti urdhëroi pushkatimin e të dorëzuarve, pothuaj të gjithë me origjinë shqiptare.