Lajm

Ia nxiva jetën vjehrrës, edhe në prag të vde*kjes

Jam martuar jo shumë e re, njëzet e katër vjeçe. Kam lindur e jam rritur në një qytet të vogël, por nusja e kushëririt tim ndërhyri dhe më prezantoi me kushëririn e saj, që banonte në Tiranë. Ne e pëlqyem njëri-tjetrin dhe u martuam shpejt. Nuk kishim ç’të prisnim, se unë nuk kisha ndërmend të vazhdoja ndonjë shkollë, plus që menduam se duke qenë në Tiranë, do të gjeja edhe ndonjë punë.

Bashkëshorti im jetonte me të dy prindërit dhe kishte edhe një motër të pamartuar. Shtëpinë e kishin jo shumë larg qendrës dhe unë i mësova rrugët shumë shpejt. Në fillim, gjërat ecnin mirë, unë fillova një kurs rrobaqepësie te vajza e hallës, e cila kishte biznesin e vet. Aty edhe punova derisa linda vajzën. Më pas fillova punë shumë shpejt sepse vjehrra më tha që do ta mbante ajo vajzën.

U riktheva në punë me shumë dëshirë, jo se nuk doja të rrija me engjëllin tim të vogël, por qëndrimi gjithë ditën me prindërit e bashkëshortit po m’i bënte nervat copë. Me bashkëshortin kishim marrëdhënie shumë të mira. Ai ishte i qetë dhe me shumë logjikë. Përpiqesha të gjeja momentin e duhur për t’i thënë për ndonjë ankesë apo debat që mund të bëja, por ai më akuzonte gjithmonë se kishte ndodhur e kundërta. Nuk e kisha vënë re që sa herë debatonim me vjehrrën, ajo dilte e kapte te kafja poshtë pallatit dhe e frynte aq shumë sa ai jo vetëm nuk më besonte, por kishte filluar edhe të mos më dëgjonte.