Lajm

“Inshallah shpirti nuk më del, pa i parë njëherë nipat duke ecur”

Kjo grua është e moshuar. Forcat e kanë lënë, por lotët fatkeqësisht, jo. Qëndrojnë aty prej vitesh, përditë.Këtë dhimbje provon përditë kjo gjyshe, teksa sheh tre nga 4 nipat e saj të zvarriten në dyshemenë e shtëpisë. Të pamundur për t’u çuar në këmbë, të lidhur pas një karrigeje me rrota.

Shpesh herë e çon ndërmend fundin, e mbase me një pështjellim shumë të madh. Jo për veten, por një për një peng që e mban zgjuar natën. Sa e vështirë mund të jetë që ta jetosh pleqërinë me një barrë… se fëmijët e fëmijëve të tu janë të sëmurë e nuk e kanë njohur ndonjëherë lumturinë.

Gjyshja e Gëzimit, Arlindit dhe Adit veçse lutet, sepse dhimbjet po ia lodhin shpirtin në këtë moshë të thyer. Veçse lutet që nipat e saj t’i shohë njëherë të lumtur. I lutet Zotit të mos ia marrë shpirtin ende, para se të shohë sikur veçse një herë, gëzim e lumturi në fytyrat e tyre.