Lajm

Historia e nuses shqiptare: Ditën e dytë që shkova nuse më thanë, shko mili lopët!

Ishte hera e parë që në vitin e fundit të shkollës së mesme po më rroknin do farë dridhjesh të çuditshme, e që nuk më kishin goditur asnjëherë tjetër. I thosha vetes se isha ende tepër e re, për të mos thënë fare e pamësuar dhe tej mase e frikësuar të nisja dashuriçkat e moshës që i takoja, edhe pse shoqet e mia nuk e qanin kokën për gjëra të tilla.

Dhe, që në këtë kohë fillova të dal pak nga ajo “udha e Zotit” dhe këtë devijim timin lozonjar e vërejtën menjëherë vëllezërit e mi, të cilët më ndaluan të dilja nga shtëpia pa i pyetur paraprakisht se kah do ta thyeja qafën. Për këtë arsye edhe humba besimin e tyre për të vazhduar shkollimin më tutje, pra studimet në Prishtinë, e që ishte një goditje e rëndë për mua dhe e para në jetën time.